Tur është një sure mekase, me 49 ajete, e zbritur pas sures Sexhdeh. Maliku sjell një hadith nga Xhubejr Ibn Mutaimi, i cili e përcjell nga i ati: 2488. “E kam dëgjuar Profetin (a.s.) që të lexojë në namazin e aksha-mit suren Tur dhe nuk kam dëgjuar asnjë tjetër me zë (e këndim) më të bukur.” Kë-shtu e ka përnxjerrë Buhariu dhe Muslimi. Imam Buhariu sjell nga Ummu Selemeh (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) edhe hadithin tjetër: 2489. “Unë u ankova tek i Dërguari i Allahut për diçka dhe ai më tha: “Bëj tavaf (në Qabe) nga pas njerëzve, hipur mbi kafshë.” Unë e bëra tavaf-in, ndërkohë që i Dërguari i Allahut falej përbri Qabes dhe lexonte: “Uet-ur, ue kitabim-mestur” (suren Tur).”
– “Betohem për malin Tur …” – Allahu i Lartësuar betohet në këto krijesa, të cilat tregojnë për pushtetin e Tij madhështor. Ai betohet për të treguar se ndëshkimi i Tij mbi armiqtë e çështjes së Tij, mbi ata që i kundërvihen besimit, profetëve dhe Shpalljes së Tij ka për të ndodhur patjetër. Ai na tregon se askush nuk mund ta kthejë pas atë apo ta shmangë prej keqbërësve. Tur quhet një mal me pemë dhe është pikërisht ai mal, në të cilin Allahu i foli Musait dhe po prej tij dërgoi si Profet, Isain (paqja e Zotit qoftë me ta dhe me Profetin tonë të dashur!). Një mal i zhveshur, që nuk ka pemë, (në arabisht) nuk quhet ‘tur’, por xhebel. Pra, janë dy fjalë të ndryshme për malet, secila me veçorinë e vet. Pa dyshim që ajeti i referohet malit Tur, mbi të cilin Zoti i foli Musait.