– “Atje do t’ia kalojnë njëri-tjetrit kupat e mbushura …” – Pra, të mbushura me pije të shijshme dhe të këndshme. Kështu e ka shpjeguar Dahhaku.
– “… e nuk do të ketë fjalë të kota e as gjynahe.” – Ato pije nuk ua marrin mendjen banorëve të Xhenetit e t’i bëjnë që të thonë fjalë të kota, pa asnjë lloj dobie. Ato pije janë të pastra nga mangësitë e pijeve të dynjasë, si nxitja për kotësira dhe fjalë me gjynahe dhe poshtërsi. Pijet e ahiretit nuk sjellin dhimbje koke dhe as dhimbje barku. Ato nuk shkaktojnë dehje dhe humbje të mendjes. Përveç këtyre, i Lartësuari na tregon se ato pije kanë pamje shumë të këndshme dhe shije të mrekullueshme: “Atyre u shërbehet me gota (me pije) të mbushura nga burimet (e Xhenetit). E bardhë kristal (është ajo pije), me shije të mrekullueshme për ata që e pinë. Ajo nuk i dëmton ata dhe as nuk dehen prej saj …” [Saffat 45 – 47]. Ose: “Pije prej së cilës as nuk u dhemb koka, as nuk dehen;” [Uakia 19].