Select Page

– “Atë ditë do të ketë fytyra të ndritura… – Fytyra të shkëlqyeshme nga gëzimi dhe lumturia.

– “… që Zotin e tyre do të shikojnë.” – Ata kanë për ta parë Zotin drejtpërdrejt me sy, sikurse thuhet në hadithin që sjell Buhariu (Allahu e mëshiroftë!) në Sahihun e tij: 2793. “Ju keni për ta parë Zotin tuaj me sy”.

Në fakt, ka shumë hadithe të tilla, që flasin për këtë çështje, gjë që e bën atë të pakundërshtueshme. Kështu, është hadithi i Ebu Saidit dhe ai i Ebu Hurejrës, në dy Sahihët, ku tregohet se disa njerëz pyetën: 2794. “O i Dërguari  i Allahut! A do ta shohim Zotin tonë në Ditën e Kijametit?” Ai tha: “Vallë, a pengoheni në shikimin e Diellit ose të Hënës, kur nuk ka asnjë re?” – “Jo!” – “Ja, kështu do ta shikoni Zotin tuaj, pa asnjë lloj pengese.”

Në dy Sahih-ët vjen hadithi i rrëfyer nga Xherir Ibn Abdullah el Bexheli (Allahu qoftë i kënaqur prej tij): “Ishim ulur tek Profeti i Allahut, i cili, duke vështruar hënën e plotë në një natë të bardhë, tha: “Ju do ta shihni Zotin tuaj, ashtu siç shihni tani këtë hënë, pa u ngushtuar për ta parë Atë.” Pastaj tha: “Nëse keni mundësi që të mos ju shpëtojë asnjëherë namazi para lindjes së diellit dhe para perëndimit të tij, bëjeni!”

Buhariu (Allahu e mëshiroftë!) sjell hadithin nga Abdullah Ibn Kajsi, se Profeti i Allahut ka thënë: “Janë dy kopshte, ku enët dhe gjithçka në to janë prej argjendi dhe dy kopshte, ku enët dhe gjithçka në to janë prej floriri. Mes atyre fatlumëve dhe shikimit të Zotit të tyre Krenar dhe të Lartësuar është vetëm mbulesa e madhështisë, krenarisë mbi fytyrën e Tij, në Xhenetin e Adnit.”

Ndërsa në një hadith tjetër thuhet: “Allahu u thotë banorëve të Xhenetit: “O banorë të Xhenetit, ju keni nga Allahu një premtim, të cilin Ai dëshiron ta përmbushë për ju sot!” Ata thonë: “Çfarë është ky premtim?! A nuk na i zbardhi Allahu fytyrat tona?! A nuk na e shtoi peshën e veprave tona të mira? A nuk na shpëtoi nga zjarri dhe na futi në Xhenet?!” Atëherë, Allahu i Lartësuar largon perden e Vet dhe ata do ta shohin. Betohem në Allah, se Ai s’u ka dhënë banorëve të Xhenetit ndonjë mirësi më të madhe sesa vështrimi drejt Tij, dhe kjo është ajo që quhet “shtesa” ose “dita e shtesës”.

Ka shumë hadithe të tjera në dy Sahih-ët, por edhe në burime të tjera, që pohojnë këtë fakt. Po të mos i druheshim tejzgjatjes së këtij libri, do t’i sillnim të gjitha ato hadithe me rrugët e tyre, tekstet dhe versionet e ndryshme, qofshin hadithe sahih apo hasen. Megjithatë, të tilla hadithe i gjen në vende të ndryshme në këtë tefsir. Besimi që besimtarët do ta shohin Zotin në Xhenet, është një çështje e pranuar unanimisht nga sahabët, tabiinët dhe të parët e këtij umeti, dhe për këtë e falënderojmë Allahun dhe vetëm Atë e lavdërojmë.

Të gjithë ata që keqinterpretojnë këto informacione dhe tekste, duke u dhënë tjetër kuptim nga ajo që ka thënë Profeti i Allahut, vërtet janë larguar nga rruga e drejtë. Kështu, në lidhje me fjalën e Allahut të Lartësuar: “Jo dhe jo! Atë ditë, ata do të pengohen ta shohin Zotin e tyre.” [Mutaffifin 15], Imam Shafiiu (Allahu  e  mëshiroftë!) ka thënë: “Keqbërësit do të privohen nga shikimi i Zotit, dhe kjo nuk vë në dyshim se punëmirët kanë për ta parë Allahun Krenar dhe të Lartësuar dhe kurrsesi nuk do të privohen nga kjo gjë. Ka hadithe ‘muteuatira’ nga Profeti i Allahut, të cilat e përforcojnë atë që tregon qartë ky ajet i nderuar, dhe pikërisht fjala e Allahut të Lartësuar: “… që Zotin e tyre do të shikojnë”. Ata do ta shi-kojnë Krijuesin dhe, pa dyshim, ato fytyra e meritojnë që të ndriçohen, të lumturohen dhe gëzohen, të mbushen plot dritë, shkëlqim dhe kënaqësi, në ato çaste të pakrahasueshme.”